Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Ajo u është drejtuar muslimanëve të cilët dinë ku bëjnë pjesë dhe të cilët në zemrën e tyre qartë ndiejnë në cilën anë qëndrojnë. Për të këtillët kjo deklaratë paraqet thirrje t'i nxjerrin konsekuencat e domosdoshme për atë në çka ajo dashuri dhe përkatësi i obligon.
Tërë bota muslimane gjendet në situatën e vlimeve dhe ndryshimeve. Sido që të duket kjo botë pasi këto ndryshime ta bëjnë xhiron e parë ngjitëse, një gjë është e sigurt; ajo më nuk do të jetë bota nga gjysma e parë e këtij shekulli. Epoka e pasivitetit dhe qetësisë kaloi përgjithmonë.
Këtë çast të ndërrimit dhe lëvizjes po përpiqen ta shfrytëzojnë të gjithë e sidomos të huajt e fuqishëm nga Lindja dhe Perëndimi. Në vend të ushtrive të tyre ata tash fusin idetë e tyre dhe kapitalin e tyre, dhe me këtë formë të re të ndikimit orvaten sërish ta arrijnë qëllimin e njëjtë: ta sigurojnë praninë e tyre dhe që popujt muslimanë t'i mbajnë edhe më tej në gjendjen e dobësisë shpirtërore dhe varshmërisë materiale e politike.
Kina, Rusia dhe vendet perëndimore grinden rreth asaj se cilës prej tyre dhe mbi cilën pjesë të botës muslimane u takon patronati. Grindja e tyre është e pakuptimtë. Bota islame nuk u përket atyre, por popujve muslimanë.
Sepse, një botë me një miliard njerëz, me burime të mëdha natyrale dhe në rendin e parë të pozitës gjeografke, e cila është trashëgimtare e traditave kolosale kulturore dhe politike dhe e cila është bartëse e mendimit të gjallë islamik, nuk mundet shumë kohë të mbetet në pozitën e qiraxhiut. Nuk ekziston fuqi e cila do të mund ta pengonte gjeneratën e re muslimane që ta ndërprejë këtë gjendje jonormale.
Me këtë bindje ne u shpallim miqve dhe armiqve se muslimanët kanë vendosur që fatin e botës muslimane ta marrin në duart e veta dhe këtë botë ta rregullojnë sipas botëkuptimeve të tyre.
Në këtë pikëpamje deklarata nuk përmbanë ide të cilat do të mund të konsideroheshin plotësisht të reja. Ajo më parë është sintezë e ideve të cilat gjithnjë e më shpesh po dëgjohen në vendet e ndryshme dhe të cilat kanë përafërsisht rëndësinë e përgjithshme në të gjitha pjesët e botës muslimane. Megjithatë, risia e saj është në atë që kërkon nga idetë dhe planet të kalohet në aksion të organizuar për sendërtimin e tyre.
Lufta për qëllimet e reja nuk fillon sot. Përkundrazi, historia e kësaj lufte tashmë i njeh shehidët e vet dhe faqet e shkruara mbi vuajtjet dhe sakrificat. Megjithatë, ky është flijim vetjak i individëve të spikatur ose i grupeve të vogla guximtare në ballafaqim me fuqitë e fuqishme të xhahilietit. Madhësia e problemit dhe e vuajtjeve, ndërkaq, kërkon aksion të organizuar të milionave.
Porosinë tonë ia përkushtojmë kujtimit të shokëve tanë të cilët kanë rënë për Islamin.
Sarajevë 1970
Xhumadul-ula 1390
Titulli: Deklarata Islame
Autorit: Alija Izetbegoviq
Titulli orgjinalit: Islamska Deklaracija
www.mesazhi.com






