Myftnia Shkoder - Komuniteti Musliman Shqiptare - Albania

Friday
Mar 12th
Madhesia e shkrimit
  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size

Ahmed Davutogllu, “ ideologu i politikës së jashtme turke”

E-mail Print PDF

Ajni Sinani

     Në muajin Maj, kryeministri Rexhep Tajip Erdogan ka realizuar ndryshimin e pritur në qeverinë turke duke sjellë në të emra të rinj në kabinetin qeverisës. Analistët vlerësojnë se ndryshimi më i rëndësishëm në listën e publikuar nga kryeministri Erdogan ka qenë emërimi i kryekëshilltarit të tij, Ahmet Davutogllu, i cili nuk është deputet, në postin më të lartë të politikës së jashtme. Davutogllu detyrën e re si ministër i jashtëm do ta marrë nga ministri Ali Babaxhan i cili është emëruar si ministër përgjegjës për koordinimin në ekonomi.  

     Shumë tituj i jepen Ahmed Davutogllu. Ai në korridoret e politikës së jashtme njihet si “eminenca gri”, “njeriu në hije”,  "intelektual sipëror me ndikim të madh", kurse dashamirët e tij e thërrasin  "hoxha" ose "mësues". Larg titujve, emërimi i Davutogllut për Ministër të Punëve të Jashtme të Turqisë, tërheq vëmendjen jo vetëm se është rast i rrallë në jetën politike turke, që emërohet një ministër jashtë parlamentit, por, çka është më me rëndësi, sepse ai është ideologu i parë për politikën e jashtme turke që ka ndjekur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), që ka forcuar rolin rajonal të Turqisë, madje e ka vendosur atë në qendër të ngjarjeve rajonale në Lindjen e Mesme.
Davutogllu ka lindur në 1959, në qytetin Konia. Në vitin 1999 ai ka marrë shkallën "profesor" në shkencat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai ka punuar në shumë universitete në Turqi dhe jashtë saj, më i rëndësishmi është Universiteti islamik në Malajzi. Ai gjithashtu ka kryesuar Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin privat turk "Bilkent", para se Erdogan ta zgjidhte këshilltar të politikës së jashtme, për të mbikëqyrur funksionimin dhe për të monitoruar dhe planifikuar procesin e filluar për një politikë të re të jashtme të vendit, pasi AKP fitoi zgjedhjet parlamentare dhe formoi qeverinë turke.  

Parimi i thellësisë strategjike dhe trashëgimia osmane

Pozita prej këshilltari për politikën e jashtme i ka mundësuar Davutogllut që të ndikojë në mënyrë direkte në politikën e jashtme të Turqisë në nivelin më të lartë, dhe në zbatimin e teorisë së tij për politikën e jashtme nëpërmjet parimit të ashtuquajtur "thellësia strategjike" – “Strategic Depth” që e ka elaboruar në librin e botuar në vitin 2001, me titull “Stratejik Derinlik, Tiirkiye'nin Uluslararasi Konumu”, (The Strategic Depth: The Turkish Internacional Location).
Davutogllu në librin e tij bën thirrje në domosdoshmërinë e një ripërcaktimi të politikës së jashtme të Turqisë, në përputhje me atë që ai e quan parimi i "thellësisë strategjike", ku ideja kryesore është përqendruar rreth asaj se vlera e çdo shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare, rrjedh nga pozita e tij gjeostrategjike dhe nga thellësia e tij historike.  Sipas këtij parimi, Turqia shquhet për “thellësinë gjeografike” (geographical depth) dhe për “thellësinë historike” (historical depth).
Në lidhje me thellësinë gjeografike, Davutogllu e konsideron Turqinë si një vend me pozitë "qendrore" dhe, për këtë arsye, ajo sipas tij "nuk duhet të shihet si një vend urë që lidh vetëm dy pika dhe as si një shtet në kufi, apo si një shtet i rëndomtë që bie në skaj të botës islamike, ose në skaj të botës perëndimore".
Turqia, sipas Davutogllut, është një vend "qendror" për shkak të faktit të pozitës së saj unike gjeografike, sepse: "Gjeografia i jep Turqisë pozitën e një shteti qendror unik, ndryshe nga shtetet e tjera qendrore të Evropës. Për shembull, thotë ai, Gjermania është një vend qendror në Evropë, por gjeografikisht është larg nga Afrika dhe Azia. Rusia është gjithashtu një vend qendror në Evropë dhe Azi, por gjeografikisht është larg nga Afrika. Edhe Irani është një vend qendror në Azi, por gjeografikisht është larg nga Evropa dhe Afrika. Prandaj, konstaton Davutogllu, me një vështrim më të gjerë, Turqia ruan një pozitë më të mirë se shtetet e përmendura për shkak të të qenit të saj një shtet evropian dhe aziatik në të njëjtën kohë. Ajo, gjithashtu, është afër me Afrikën nëpërmjet Detit Mesdhe. Si rrjedhim, Turqia mban një pozitë unikale si vend qendror.


Turqia, sipas tij, sikurse që ka "thellësi gjeografike", ajo ka gjithashtu edhe "thellësi historike", dhe këtë Davutogllu e shpjegon me trashëgiminë osmane të saj, kur Perandoria Osmane ishte një nga qendrat e tërheqjes globale, gjë që reflektohet mbi Turqinë e sotme, e cila ka një përzierje të elementeve të ndryshme të Ballkanit, të Kaukazit, të Lindjes së Mesme dhe Anadollit, elemente të cilat takohen nën ombrellën e shtetit të sotëm turk.
Si rezultat i kësaj thellësie gjeografike dhe historike të Turqisë, që Davutogllu i  përmbledh në "thellësinë strategjike", Turqia, sipas pikëpamjes së Davutogllut, është  një shtet me multi-identitete rajonale, identitete që i përkasin rajoneve të ndryshme të tilla si Lindja e Mesme, Ballkani, Kaukazi, Azia Qendrore, Deti Kaspik, Deti Mesdhe dhe Deti i Zi dhe nuk mund të identifikohet me një identitet të vetëm.
Prandaj, vlerëson Davutogllu, "Turqia të qenit e saj si një shtet i rëndomtë periferik duhet ta konsiderojë si pjesë të së kaluarës dhe duhet të nisë një politikë të jashtme të re, në mënyrë që të sigurojë stabilitet jo vetëm për veten e saj, por edhe fqinjët e saj. Ajo për të ruajtur sigurinë e saj kombëtare dhe stabilitetin e vet, duhet të luajë një rol më aktiv dhe ndërtues për sigurimin e sistemeve të sigurisë dhe stabilitetit me shtetet që e rrethojnë atë".
Si rezultat i këtij vështrimi të ri, të iniciuar nga Davutogllu, Ankaraja ka vendosur parime të reja për politikën e saj të jashtme ku shquhet zgjidhja e mosmarrëveshjeve me vendet fqinje, duke avancuar bashkëpunimin me to. Parimet e reja kërkojnë gjithashtu një zhvendosje dhe ndryshim të politikës së jashtme të Turqisë drejt Lindjes së Mesme, pas një kohe të gjatë të fokusimit të politikës së saj vetëm në drejtim të Perëndimit.   
Ndryshimi në politikën turke
Ndryshimi në politikën e jashtme turke është rezultat i zbatimit të parimit unik të "thellësisë strategjike" që ka zhvilluar Davutogllu duke përfshirë disa çështje:
- Afrimi me Sirinë
Marrëdhëniet e Turqisë me Sirinë janë përmirësuar nën udhëheqjen e AKP-së, sidomos me vizitën e presidentit sirian Bashar El-Assad në Turqi, në janar 2004, që është pasuar nga një vizitë e presidentit turk, Nexhdet Sezer-it, në të njëjtin vit. Ky ka qenë një shkëmbim i vizitave, i pari i këtij lloji në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Të dy palët kanë nënshkruar protokolle të  bashkëpunimit në fusha të ekonomisë, turizmit dhe shkëmbimet arsimore. Madje, e gjithë kjo është bërë në kohën kur Siria po i nënshtrohej një izolimi të rëndë ndërkombëtar të imponuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur Damasku akuzohej nga Uashingtoni se "po pranonte ish-zyrtarët e Irakut, dhe po i lejonte ata të organizonin rezistencën irakiane në territorin sirian, madje edhe duke e financuar atë.   
- Afrimi me Iranin:
 Afrimi i Turqisë me Iranin ka ardhur si rrjedhim i zbatimit të parimit të “thellësisë strategjike”, të Davutogllut. Turqia gjatë luftës së ftohtë ka qenë kundër Iranit, madje e ka akuzuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve nëntëdhjetë për mbështetje të PKK-së. Ndërkaq, ajo ka forcuar lidhjet e saj me Teheranin nën sundimin e AKP-së. Në korrik 2004, Erdogan bëri një vizitë në Teheran, gjatë së cilës ai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi shumëpalësh me zyrtarët iranianë, që përfshiu shumë nga marrëveshjet ekonomike, si shtesë e angazhimit të përbashkët të sigurisë të bashkëpunimit në luftën kundër PKK-së.
Edhe presidenti iranian Ahmadinexhad ka bërë një vizitë zyrtare në Turqi, në gusht të vitit 2008. Turqia ka mbështetur, gjithashtu, të drejtën e Iranit për të poseduar energji bërthamore për qëllime paqësore. Gjithë ky afrim Turqi-Iran është realizuar gjatë kohës së izolimit ndërkombëtar të imponuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi Iranin, madje në mes të krizës bërthamore të Iranit.  
- Qëndrimi i Turqisë ndaj çështjes palestineze:
Qëndrimin i Turqisë ndaj çështjes palestineze ka pasur një avancim të theksuar nën udhëheqjen e AKP-së, e cila gjithmonë lidhjet e saj strategjike dhe ushtarake me Izraelin i kishte si prioritet kryesor në Lindjen e Mesme. Mirëpo një prioritet i tillë ka ndryshuar me zbatimin e parimit të "thellësisë strategjike".
Në një kohë kur Perëndimi vuri një bllokadë financiare ndaj Hamasit, kur ai formoi qeverinë pas fitores në zgjedhjet legjislative të vitit 2006, Turqia e ftoi Halid Meshalin, kreun e Hamasit, në Ankara. Ky veprim shkaktoi zemërimin e amerikanëve dhe izraelitëve.

Mbështetja e Turqisë ndaj çështjes palestineze u duk qartë gjatë luftës së fundit në Gazë, kur Erdogan me një gjuhë të ashpër e akuzoi Izraelin për kryerjen e krimeve të luftës në Gazë, madje ai mbrojti edhe lëvizjen Hamas. Ajo që do të kujtohet dhe që është regjistruar në memorien tonë, pa dyshim,  është largimi i famshëm i Erdoganit në mënyrë demonstrative në Samitin e Davosit.

Komentet (0)add
Ju duhet te jeni te rregjistruar per te bere komente, ju lutemi rregjistrohuni.

busy