Shaban Rexhepi, Radio Kajro
Egjypti vendi i origjinës së civilizimit dhe i kulturës botërore.
Nga data 12 deri më 26 prill 2009 në Kajro, kryeqyteti i Republikës Arabe të Egjyptit, u zhvillua seminari trajnues për median, me nismën dhe organizimin e departamentit të Fondit Egjyptian për Zhvillimin Teknik për shtetet e Komunuelthit, pranë Ministrisë së Jashtme të Egjyptit.
Delegacioni mediatik shqipëtar përbëhej nga 14 gazetarë, publicistë, drejtues të mediave si nga zyra e shtypit të Presidencës, Kryeministrisë, Parlamentit, Radio-Televizionit Shqipëtar, Agjensisë Telegrafike Shqiptare e përfaqësues të televizioneve dhe gazetave më të njohura kombëtare dhe lokale. Në këtë delegacion ishte i ftuar edhe drejtori i arsimit dhe medias, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni.
Seminari trajnues i nivelit të lartë u zhvillua në institucionin e botimeve gazetareske kombëtare dhe ndërkombëtare “El-Gumhurije”, në Kajro.
Ceremonia e hapjes u bë nga drejtorja e përgjithshme e Fondit Egjyptian për Zhvillimin Teknik, pranë Ministrisë së Jashtme, znj. Sofije Ibrahim. Në fjalën e saj të hapjes ajo konfirmoi vëmendjen dhe interesimin e Egjyptit për të forcuar më tej marrëdhëniet e saj me shtetin mik shqiptar, duke u nisur nga lidhjet e forta historike midis Egjyptit dhe Shqipërisë, me optimizimin e saj që këto marrëdhënie të shtohem më tepër gjatë organizimit të këtyre seminareve në fusha të ndryshme.
Zonja Ibrahim uroj delegacionin mediatik shqiptar për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike të NATOS, duke uruar gjithashtu për anëtaresimin e saj të shpejtë në Bashkimin Evropian.
Në këtë seminar u zhvilluan bashkëbisedime, dialogje dhe kumtesa nga profesorë dhe drejtues të lartë të institucioneve mediatike kombëtare egjyptiane, deputetë që janë anëtarë të komisionit për median në Parlamentin egjyptian e figura të njohura të Egjyptit në fushën e artit, kulturës etj…
Nga temat interesante që u ezauruan në këtë seminar ishin: ‘Roli i medias në zhvillimin e shoqërive në zhvillim”, “Roli i informacionit në përhapjen e vlerave demokratike dhe pjesëmarja popullore ne to”, “Përhapja e kulturës së tolerancës midis popujve dhe dialogu i civilizimeve”, “Legjislacionet mediatike” e tema të tjera interesante.
Delegacioni shqipëtar gjatë qëndrimit në Egjypt, vendi i origjinës 7000 vjeçare të civilizimit dhe kulturës botërore vizitoi disa ente e institucione kryesore mediatike shtetërore si: Qytetin e famshëm e më të madh mediatik në lindjen e mesme “6 tetori”, Qendrën e informacioneve kombëtare të Egjyptit, Agjensinë e lajmeve për lindjen e mesme, Unionin e Radio-Televizionit Egjyptian, ku vlen të permendet programi ditor shqip që transmetohet qysh 22 vite nga Radio Kajroja dhe ky program që transmetohet aktualisht me valët e shkurtra 31 metra sipas informacioneve do të dëgjohet në një ardhme të afërt një pjësë e programit të saj edhe në valët e mesme të një radiostacioni të ri në Shkodër, i cili pritet të dalë në transmetim së shpejti…
Krahas tyre mysafirët vizituan edhe disa vende turistike si qytetin Sharm El-Sheikh, qytetin e lashtë të Aleksandrisë, ku prej vendeve që u vizitua në këtë qytet ishte biblioteka më e madhe në botë e Aleksandrisë.
Po ashtu u vizituan Piramidat e famshme në Kajro, muzeu kombëtare, kalaja e Salahudin El-Ejubit dhe xhamia e madhe e Muhamed Ali Pashës që është me origjinë shqiptare dhe themelues i Egjyptit te ri, xhaminë Al-Az’har, udhëtim nëpër lumin më të gjatë në botë, Nili, kompleksin e kishave të krishtera etj…
Kudo u gjet mikëpritja e bujaria e papërshkruar, u zhvilluan bisedime të ngrohta, u shkëmbyen përvojat, u shprehen përshtypje prekëse, u bënë vlerësime dhe u paraqit nderim e mirënjohje e thellë.
Seminari u kurorëzua me ceremoninë e mbylljes, duke u shpërndarë për secilin të ftuar çertifikatë. Në emër të delegacionit mediatik shqiptar përshendeti z. Arben Halluni i cili ndër të tjera tha: “…Pa dyshim se seminari dhe vizita në Egjypt ishte tepër
e rëndësishme dhe e dobishme, për faktin se u trajtuan tema të ditës e bashkëkohore dhe u vizituan vende që rrisin përvojen dhe kualifikimin tonë mediatik, duke konfirmuar nevojën e organizimit të vazhdueshëm të këtyre seminareve dhe vizitave. Ai në emër të delegacionit falenderoi me mirënjohje drejtuesit e Ministrisë së Jashtme të Egjyptit dhe organizatorët e këtij seminari dhe në mënyrë të veçantë Ambasadoren e Republikës Arabe të Egjyptit në Tiranë, znj. Amina Gomma." Është për tu përmendur se kësaj vizite u kanë bërë jehonë mediat e shkruara, vizive dhe audio të Egjyptit si: gazeta kombëtare “El-Gumhurije”, gazeta kombëtare “EL-Mesai” etj…
Seminari tregoi potencialin intelektual të ftuarve, rolin medias në përgjithësi e të organeve të veçanta që merren me këtë sferë, apo siç njihet ndryshe pushteti i katërt.
Vizita në tokën e lashtë të Egjyptit sipas delegacionit do të mbetet gjatë në kujtesën e secilit si një vizitë frytdhënëse, e paharruar, serioze që pa dyshim do të japë rezultatet në të ardhmen e vërtetë.
www.myftiniashkoder.org






