Myftnia Shkoder - Komuniteti Musliman Shqiptare - Albania

Thursday
Mar 11th
Madhesia e shkrimit
  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size

Muslimanët Shqiptarë organizuan një Konvenjo në Udine të Italisë

E-mail Print PDF
Vajada Keçi Manjani                     14. 04. 2009
Në datat 11-12 prill 2009 në ambientet e fshatit turistik të Lignano Sabbia D'oro në Udine të Italisë u zhvillua një nga takimet më të mëdha të muslimanëve shqiptarë të Italisë.
Takimi në fjalë ishte dy ditor dhe u shoqërua me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm emigrantësh muslimanë shqiptarë (afro 100 persona) të ardhur nga shumë qytete të Italisë. Në takim morën pjesë emigrantë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, studentë, individë të moshave të ndryshme, të cilët jetojnë prej disa vitesh në Itali. Takimi i Udines ishte organizuar me dëshirën e mirë për t’iu ofruar emigrantëve shqiptarë të Italisë mundësinë e përjetimit të disa momenteve vëllazërore, bashkimi dhe kujtimi mbi besimin, origjinën dhe historinë e tyre.
Konvenjo e Udines nisi që ditën e shtunë, kur pjesmarrësit që vinin nga të gjitha cepat e Italisë dhe Evropës u sistemuan në dhomat e fshatit turistik të zhytur në gjelbërimin e brigjeve të Adriatikut. Ambjentet në Lignano Sabbia d'oro ishin jashtëzakonisht të këndshme. Fshati turistik ka fare pak metra larg tij detin, i cili i shoqëruar me kohën e ngrohtë e me diell favorizuan qëndrimin duke e bërë atë shumë të këndshëm dhe duke i kujtuar pjesëmarrësit që vinë nga vise më të ftohtë të Italisë, klimën e ngrohtë dhe mesdhetare të Shqipërisë.
Konvenjoja e Udines u organizua me nismën e muslimanëve shqiptarë të Italisë të cilët në këto vitet e fundit kanë nisur të organizohen në të gjithë vendin. Konvenjot e muslimanëve shqiptarë tashmë po ndërtojnë një traditë të mirë në Itali. Një vit më parë në Bergamo, u organizua një tjetër takim i madh i muslimanëve shqiptarë të Italisë. Ndërsa pak javë më parë, në Xhaminë shqiptare të Trentos u organizua një koncert masiv për të përkujtuar pavarësinë e Kosovës, në të cilin mori pjesë aktori i mirënjohur Reshat Arbana.
Promotorë të takimeve të muslimanëve të Italisë janë organizatat lokale të muslimanëve shqiptarë në vend, dhe tashmë edhe federata e mirënjohur e shqiptarëve të Italisë, UAMI (Unione degli Albanesi Mussulmani in Italia) e cila kryesohet nga doktor Alfred Aga. UAMI është një federatë e organizatave muslimane shqiptare të Italisë, qëllimi i të cilës është të bashkojë dhe përfaqësojë muslimanët shqiptar që ndodhen si emigrantë në Itali dhe të shërbejë si një organizatë nacionale për ruajtjen e identitetit islam dhe kombëtar të shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë, për të ndihmuar në intergrimin e komunitetit të madh shqiptar të Italisë në shoqërinë italiane dhe atë evropjane. Vlerat demokratike, liberale dhe progresiste të Italisë janë ato që muslimanët shqiptarë vlerësojnë shumë në Itali. Këto faktorë u theksuan nga drejtuesi i UAMI-t, Dr. Alfredi i cili vuri në pah mundësitë dhe hapësirat e mëdha që i ofrohen shqiptarëve nga shteti italian për praktikimin e fesë Islame, edukimin dhe të drejtat demokratike që gëzohen në Itali.
Të ftuar specialë në konvenjon e Udines ishin edhe hoxhë Sabahudin Jashari nga Shqipëria, doktor Laurent Ibra, avv. Sokol Lamaj, Dr. Asllan Tahiraj intelektualë muslimanë me banim ne Gjermani dhe Olsi Jazexhi nga Firence. Gjatë qëndrimit dy ditor përfaqësuesit e federatës së UAMI-it kishin organizuar një seri leksionesh të cilat u mbajtën nga të ftuarit.
I pari që hapi leksionet e Konvenjos së Udines ishte hoxhë Sabahudin Jashari i cili lekturoi mbi: “Fenë si një element dominues në jetën e një besimtari praktikant”. Ndër të tjera hoxhë Jashari përmendi se kudo që shkon, ngado që ndodhet, muslimani tregon me shembuj nga jeta e tij fetare, jo vetëm për cilësitë morale të muslimanit, por edhe për të ardhmen morale të rinisë, femijëve dhe përçimin dhe mësimin e fesë. Hoxhë Jashari solli shembuj nga jeta e Profetit Muhamed a.s i cili synonte gjithmonë kontaktin me njerëzit për të prezantuar besimin në Zot dhe përcjellë mesazhin universal të Islamit.
Hoxhë Jashari vuri në pah sesi në disa shoqëri, Islami është fenomen i pa njohur dhe i huaj (në të shumtën e rasteve i paragjykuar) dhe theksoi mbi rëndësinë që intelektualët besimtarë kanë për të prezantuar në formën më të civilizuar misionin e lartë hyjnor të fesë së profetit Muhamed.
Intelektualët muslimanë shqiptarë të ardhur nga Gjermania u përqëndruan në aspektet operative të bashkësive dhe organizatave shqiptare në Gjermani duke treguar realitetet e komunitetit shqiptar aty. Ndër të tjera të ftuarit nga Gjermania theksuan se: “Ne duhet të vetëdijësohemi se, ne nuk banojmë në vende të cilat nuk lejojnë praktikimin e plotë të fesë sonë, por në vende të cilat nuk e njohin siç duhet atë, dhe për këtë arsye përgjegjësia e prezantimit të Islamit në mënyrën më të mirë i mbetet në dorë vet muslimanëve. Për ta bërë një gjë të tillë nevojitet nje organizim i rregullt dhe efikas”.
Eksperienca e intelektualëve gjermano - shqiptarë u prit me mjaft interes nga bordi drejtues i UAMI-t  të cilët u shprehën se: “Nevoja e  organizimit dhe përfaqësimit të denjë të muslimanëve sot, shihet si një përparësi, ndaj, këmbimi i eksperjencave të përbashkëta është një hap përpara drejt suksesit afatgjatë.”
Përveç shkëmbimit të eksperiencave të emigrantëve muslimanë shqiptarë në perëndim dhe tregimit të gjëndjes së tyre, në takimin e Udines interesant ishte edhe prezantimi historik i perceptimit nëpërmjet artit të Islamit në Shqipëri i percjellë nga Olsi Jazexhi. Olsi prezantoi një seri filmash të prodhuar në Shqipëri që në kohën e komunizmit (filmi Prefekti, Nëntori i Dytë, Liri a Vdekje) dhe deri kohëve të fundit (Koha e Kometës), nëpërmjet të cilëve tregoi sesi komunistët dhe post-komunistët kanë përdorur industrinë filmike dhe artin në Shqipëri për të poshtëruar islamin dhe treguar këtë fe si një fe të huaj për Shqipërinë, të lidhur sa me Italinë fashiste, Perandorinë Osmane, barbarizmin etj. Portretizimi i Qazim Mulletit si një sundimtar i paditur dhe islamik, apo i bimbashit të Gjirokastrës si një despot islamik, apo edhe i banorëve të Shqipërisë së Mesme si islamikë (në filmin Koha e Kometës) kanë një mision orientalist ne veten e tyre “ nëpërmjet të cilës publikut islami i tregohet si feja e hasmit dhe anti-civilizimit ,ndërsa krishtërimi apo nacionalizmi shqiptar tregohen si anti-islamikë dhe si pasojë progresistë.
Në leksionet e Udines, në emër të studenteve muslimane shqiptare të Italisë prezantoi edhe Vajada Keçi Manjani e cila shprehu shqetësimin e vajzave muslimane ndaj fenomentit shqetësues të vërejtur vitet e fundit në Shqipëri, i cili ka të bëj me diskriminimin e vajzave me shami. U vu në pah që abuzimet që po bëhen sot në Shqipëri janë një shkelje e rëndë dhe e hapur e te drejtave themelore të njeriut, në emër të laicizmit të shtetit. Ndërsa në Itali, vajzat muslimane me shami gëzojnë të drejta të plota dhe të pakufizuara, në Shqipëri, jeta e gruas muslimane  i ngjan gulagëve të kohës së komunizmit.
Shkelja e të drejtave të grave muslimane të cilat në ditët e fundit janë shoqëruar me përjashtimet nga shkollat të vajzave me shami kanë krijuar një gjëndje të rëndë psikologjike për gratë muslimane si në Shqipëri  ashtu edhe jashtë saj , pasi ato ndjehen të përjashtuara nga jeta sociale në Shqipëri dhe jetojnë në kushtet e një aparteidi stalinist. Shqetësimi i vajzave muslimane të Italisë u mbështet edhe nga presidenti i UAMI-t, z. Alfred Aga i cili përpara disa ditësh i nisi një letër kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha në emër të federatës së shqiptarëve muslimanë të Italisë.
Konvenjo dyditore e UAMI-t u mbyll në datën 12 prill 2009 në orën 11.00 pm të ditës së djelë, në prezencë të hoxhës Sabahudin Jashari i cili iu përgjigj pyetjeve të shumta të të pranishmëve.
Fjalën mbyllëse të konvenjos e mori nënkryetari i UAMI-t , Doan Dani i cili pasi falenderoi pjesëmarrësit nga të gjithë viset e Italisë dhe të ftuarit nga jashtë për pjesëmarrje e tyre, i ftoi pjesëmarrësit që të jenë prezent në organizimet e UAMI-t edhe në të ardhmen.
 


alb-muslimstudents
Komentet (0)add
Ju duhet te jeni te rregjistruar per te bere komente, ju lutemi rregjistrohuni.

busy