Intervistë me editorin e revistës islame turke “Shebnem” z. Omer Faruk Demireshik
Redaksia: Pikë së pari dëshirojmë të dijmë diçka për Omer Faruk Demireshik?
Demireshik: Unë jam nga Bursa, kam lindur në vitin 1977, jam vendosur në 1990 në Stamboll ku kam studiuar teologji islame dhe që nga ajo kohë vazhdoj të qëndroj në Stamboll, ku edhe punoj. Kam mbaruar fakultetin e teologjisë (Ilahijat) dhe kam magjistruar në shkencën e tefsirit. Që nga viti 2001 kemi filluar të botojmë revistën “Shebnem”, e cila në përmbajtje të saj ka gruan dhe familjen. Ajo është pjesë përbërëse e revistës “Altinoluk” që merret më tepër me çështje shkencore, akademike dhe mistike. Me fjalë të tjera, revista “Altinoluk” është baza, ndërsa “Shebnem” është një degë e saj. Revista “Altinoluk” ka rreth 60 mijë abonentë për çdo muaj, ndërsa “Shebnem” ka 4 mijë kopje më shumë se “Altinoluk”, dmth. 64 mijë kopje. Shtesa prej katër mijë kopje i dërgohet dhuratë kursit të vajzave, hafizëve të Kuranit etj.
Redaksia: Cila është arsyeja e botimit të revistës “Shebnem”?
Demireshik: Gruaja është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë. Në qoftë se femrat edukohen siç duhet, dmth pajisen me bagazhin e nevojshëm që i nevojitet një femre, atëherë edhe shoqëritë ngriten dhe lartësohen më shumë për sa i përket anës së edukatës dhe moralit. Por, nqs ndodhë e kundërta, pra nuk edukohet femra, madje bie poshtë, si rezultat i kësaj edhe shoqëritë do të rrëzohen dhe njëkohësisht do të dështojnë. Në vendin tonë kemi një fjalë të urtë që thotë: “Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua”. Përveç kësaj gratë, sidomos në vendet me popullsi të mëdha, i përngjajnë mjeteve për shuarjen e zjarreve në raste fatkeqësish. Këtë rol luan edhe femra në shoqëri, e cila në raste të veçanta kryen të njëjtin funksion që kryejnë mjetet e shuarjes së zjarrit. Kur Pejgamberi (a.s) filloi të thirrte në Islam, një mbështetje të madhe ka pasur nga bashkëshortja e tij Hatixheja (r.a). Edhe ne duke u nisur nga kjo dhe me qëllim që të jemi sa më afër njerëzve, në vend që të përdorim një gjuhë akademike, zgjodhëm një gjuhë më të thjeshtë, në formën e tregimeve të ndryshme, pikërisht për t’ia transmetuar mesazhin e duhur femrës. Në përgjithësi revistat me përmbajte akademike, kanë lexues të kufizuar, pra të shtresës akademike, ndërsa e kundërta, kur gjuha e shkruar është e thjeshtë ato lexohen prej pjesës më të madhe të lexuesve. Gjithashtu duhet pranuar se femrat janë qenie më të ndieshme se sa meshkujt, për këtë në revistën tonë i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë këtyre ndjenjave femërore. Kjo ndoshta është edhe arsyeja që për çdo muaj shtohet interesi i lexuesve për këtë revistë. Kështu së bashku me revistën “Altinoluk” ne përcjellim mesazhet tona në një familje të plotë islame. “Altinoluk” për njerëzit intelekutalë, ndërsa “Shebnem” për gratë dhe fëmijët.
Redaksia: Cila është njohja juaj me Shqipërinë dhe Shkodrën?
Demireshik: Përshtypjet e mia për Shqipërinë dhe Ballkanin i përkasin një të kaluare shumë të gjatë. Babai i gjyshit ka qenë nga këto anë. Në luftën e Turqisë me Rusinë, në vitin 1877-78, ka emigruar në Turqi. Shqipëria është një vend, i cili më ka tërhequr kureshtjen edhe më përpara për të ditur rreth tij, por që deri tani nuk më është dhënë mundësia ta njoh. Në momentin që më erdhi ftesa nga shoqata “Istanbul”, me gjithë emocione e pranova ftesën, bile unë kam dy fëmijë dhe që të dy i dërgova tek akrabatë, vetëm për të ardhur këtu. Ajo që më ra në sy, që nga momenti i parë me këtë vend, ishte bashkëjetesa mes dy palëve, asaj myslimane dhe asaj katolike. Kam vënë re se gjatë gjithë kohës që myslimanët kanë udhëhequr, pjestarë e feve të tjera kanë qenë të respektuar dhe nuk u është bërë padrejtësi, ndërsa e kundërta nuk ka qenë gjithmonë e drejtë. Kjo sepse ne myslimanët i njohim të gjithë pejgamberët, jo si përfaqësuesit e feve të tjera.
Redaksia: Si e keni ndjerë atmosferën islame gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri dhe veçanarisht në Shkodër?
Demireshik: Faktikisht kushtet për myslimanët nuk janë shumë të përshtatshme këtu, nuk janë shumë të favorshme për të kryer disa aktivitete apo për të jetuar disa aspekte të jetës islame. Kjo ndoshta nuk mund të jetë si rezultat i ndërhyrjes së shtetit, por edhe nga ana e myslimanëve ka mangësi në kërkimin e të drejtave të tyre dhe për t’u dalë zot këtyre të drejtave. Ka një thënie të urtë që thotë: “Në se nuk jetoni ashtu siç besoni, atëherë do të besoni ashtu siç jetoni”. Kështu që së pari duhet të dimë se çfarë besojmë dhe atëherë të vemë në jetë atë që besojmë. Këtu ka një gjë që më gëzon shumë dhe ajo është se në çdo qoshe ka nga një xhami dhe shoh që rinia çdo ditë e më tepër po i del zot fesë së saj. Është shumë e rëndësishme që rinia islame po e përkrah fenë e saj, sepse edhe të ardhmen, është kjo rini që do ta formojë. Kur xhamitë mbushen me rini, atëherë ka më shumë shpresë për të ardhmen.
Redaksia: Një mesazh për gazetën “Udha Islame” dhe lexuesin e saj.
Demireshik: Gazetës suaj i uroj një përhapje sa më të madhe, të përsosë paraqitjen e saj, t’ia arrijë qëllimeve dhe të pëlqehet nga lexuesi. Ndërkohë lexuesve i uroj të përfitojë sa më shumë nga mesazhet qytetëruese që përhap kjo gazetë.
Redaksia: Faleminderit për kohën dhe mendimet.
Demireshik: Kënaqësia ishte imja.
(Intervista u përkthye nga gjuha turke prej teologut Evans Drishti)






