Myftnia Shkoder - Komuniteti Musliman Shqiptare - Albania

Thursday
Mar 11th
Madhesia e shkrimit
  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size

Përgjegjësia e udhëheqjes në Islam - Naim Drijaj

E-mail Print PDF

Hutbe në xhaminë e Parrucës 26.06.2009
Të nderuar besimtarë!

Pas dy ditësh mbarë populli shqiptar do të ketë mundësinë për të përcaktuar me votën e tij të ardhmen e vendit.

Ne ligjeratën e ditës së sotme do të përcjellim në mënyrë të shkurtër dhe të përmbledhur disa ajete në të cilat Allahu i madhëruar na urdhëron drejtësinë. Gjithashtu do të përcjellim mesazhet e kater halifeve me ardhjen e tyre ne pushtet.
Allahu xh.sh në kuran urdheron e thotë: 
Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën... (Nahl, 90).

O besimtarë!Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj...
(Nisa , 135)

Në një hadith të transmetuar nga Muslimi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kushdo që merr pushtetin në dorë për të udhehequr, dhe nuk bën përpjekje maksimale për ti sherbyer popullit, nuk do të hyje sëbashku me ta në xhenet”

Fjalimi i parë i Ebu Bekrit r.a. në pushtet

EBu Bekri r.a. pasi mori votëbesimin doli para njerëzve, i ligjëroi atyre duke u thënë: O njerëz! Jam zgjedhur nga ju për të udhëhequr këtë vend por nuk e shoh veten si më të mirin ndër ju.  Nëse do të më verëni duke punuar mirë më ndihmoni, e nëse më shikoni duke vepruar keq atëherë me drejtoni dhe më këshilloni.
Sinqeriteti është amanet, kurse gënjeshtra është tradhëti. I dobëti në mesin tuaj është i fortë tek unë për sa kohë që unë t’i garantoj atij të drejtën. Ndërsa i forti në mesin tuaj është i dobët tek unë, deri në çastin që t’i kthej hakun në emër të Zotit. Askush prej jush mos t’i shmanget luftëmbrojtjes sepse saherë që një popull i është shmangur luftëmbrojtjes Zoti i ka goditur me nënçmim. Binduni mua, përsa kohë që unë ti bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e nëse nuk i nënshtrohem Zotit mos mu bindni.

Fjalimi i parë i Omerit r.a. në pushtet

Menjëheë pas zgjedhjes së tij si halife pas ndërrimit jetë të Ebu Bekrit.. Omeri r.a. u ngjit në minber dhe tha këto fjalë: "...O njerëz, ju posedoni disa të drejta ndaj meje, të cilat mund t´i kërkoni çdoherë. Një nga të drejtat e juaja është, se nëse ndonjëri prej jush vjen tek unë me ndonjë këkesë, ai të kthehet i kënaqur.

 

E drejtë tjetër e juaja është që të më ndaloni nga përdorimi jo i drejtë i pasurisë së Shtetit. Është poashtu e drejtë e juaja që, në rast se shkoni në luftë, të kujdesem për familjet e juaja, ashtu si kujdeset babai i juaj, kur ju nuk jeni te pranishëm. O njerëz, qëndroni të nënshtruar ndaj Allahut, më falni për gabimet dhe më ndihmoni në misionin tim.
Më ndihmoni të urdhëroj në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Më këshilloni në lidhje me obligimet e Allahut xh.sh..."
“Shembulli i besimtarit është si shembulli i devesë së bindur që i bindet drejtuesit të saj. Le të shohë drejtuesi se nga po e drejton atë?! Ndërsa përsa më përket mua, betohem në Allahun se do t’u mbajë në rrugë të drejtë.

Fjalimi i parë i  Othmanit r.a. në pushtet

Othmani r.a. pasi morri votbesimin e besimtarëve u ngjit ne minber, dhe pasi falenderoi Allahun dhe Pejgamberin a.s. tha: “Jemi ne nje botë kalimtare, përmbusheni kohën tuaj që keni në dispozicion me mirësi e punë të mira sa të mundeni ditë e natë. Kjo botë është mashtruese, prandaj mos t’ju largojë nga premtimi i Zotit. Merrni mësim prej atyre që kanë kaluar para jush.

Fjalimi i parë i Aliut r.a. në pushtet

Aliu r.a. pasi falenderoi Allahun dhe Pejgamberin a.s. tha: Allahu i Madhëruar zbriti librin (Kur’anin) udhëzues për ne, në të cilin sqaroi të mirën dhe të keqën. Kështu që, merreni të mirën dhe largohuni nga e keqja. Përbushni detyrimet që keni ndaj Allahut që të fitoni xhenetin. Allahu xh.sh. ua bëri të qartë ndalesat dhe ju kërkoi sinqeritet dhe unitet. Musliman është ai, nga i cili njerëzit janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij…ju jeni përgjegjës për vendin tuaj…Binduni Allahut dhe mos devijoni nga rruga e Tij. Nëse shikoni një të mirë merreni atë, dhe nëse shikoni një të keqe shmanguni asaj…

I lutemi Zotit që e sotmja të jetë më e mirë sesa e djeshmja dhe e  nesërmja e vendit të jetë më e mirë se sa e sotmja.

I lutemi Zotit qe udhëheqësve tanë t’u ndriçojë mëndjet t’u japë mirësi dhe urtësi.

I lutemi Zotit që çdo zgjedhje të jetë për të miren e vendit dhe mbare popullit shqiptar.

Urojmë që këto zgjedhje te bëhen në paqe dhe qetësi ku secili të shpreh lirisht vullentin e tij.

www.myftiniashkoder.org

Komentet (0)add
Ju duhet te jeni te rregjistruar per te bere komente, ju lutemi rregjistrohuni.

busy