Myftnia Shkoder - Komuniteti Musliman Shqiptare - Albania

Friday
Mar 12th
Madhesia e shkrimit
  • Increase font size
  • Default font size
  • Decrease font size

Smira - Naim Drijaj

E-mail Print PDF

Hutbe ne xhamine e Parrucës 05.06.2009

Një nga sëmundjet që shkatërron shoqërinë, sjell urrejtjen ndërmjet njerëzve, dhe prish marrdhëniet e tyre është smira (Dëshira për të mos parë tek tjetri mirësinë që ia ka dhuruar Allahu xh.sh). Mund të themi që smira është ndjenjë e lakmisë dhe e keqdashjes, që ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “A mos i kanë zili njerëzit, për çfarë u ka dhuruar Allahu xh.sh. nga të mirat e Veta?...(Nisa, 54).
Zilija është gjynahi i parë që është bërë mbi tokë, kur Kabili vrau vëllanë e vet Habilin, ngase Allahu xh.sh. ia pranoi kurbanin vëllaut të tij Habilit dhe nuk ia pranoi Kabilit. (Kjo tregohet në Kur’anë në suren Maide ajetet: 27-31).

Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: "Zilia është urrejtja e asaj mirësie të cilën Allahu xh.sh. ia ka dhënë dikujt tjetër."

“Një ditë, hyri në këshillin e Halifes Abasit, Elmu’tesim, një beduin. Ai i foli me fjalë të buta dhe prekëse, duke përmendur meritat dhe moralet e tij të larta. Me këtë, ai fitoi zemrën e Halifes El-Mutesim, i cili filloi t’a mbajë sa më pranë beduinin. Një nga vezirët e Halifes, filloi të ndjejë zili dhe smirë, për këtë marrëdhënie të këtij beduini me Halifen. Zilia dhe smira vazhdoi të shtohej, saqë veziri filloi të thurë plane, për të futur armiqësi mes Halifes dhe beduinit. Veziri, e ftoi një ditë për drekë beduinin. Kur beduini vajti, veziri i ofroi ushqim që përmbante shumë hudhra, era e të cilave është e padurueshme.

Pasi përfunduan nga të ngrënit, veziri iu drejtua beduinit dhe i tha: “Prijësi i muslimanëve, plas nga inati, nëse dikujt i vjen era hudhër nga goja.” Në anën tjetër, veziri vajti tek Halifeja dhe i tha: ”Beduini që mban afër shumë, ka hapur fjalë se gojës tënde i vjen erë e padurueshme.” Këto fjalë e acaruan Halifen El-Mutesim. Menjëherë ai i dërgoi fjalë beduinit që të paraqitej para tij. Duke qenë se kishte ngrënë hudhër dhe nuk dëshironte që Halifes t’i arrijë era e saj, beduini mbulonte gojën e tij me krah, teksa fliste. Halifeja, i siguruar tashmë nga ajo që i tha veziri i tij, nxorri një letër dhe pasi shkroi diçka, iu drejtua beduinit dhe i tha: “Merre këtë letër dhe shko me të tek organet ekzekutive të Khalifatit. Në letër, Halifeja kishte shkruar: ”Kur të arrijë tek ju mbajtësi i kësaj letre, t’i pritet koka menjëherë.  “Me të marrë letrën, beduini doli jashtë, ku takoi vezirin. Me ta parë veziri me letër në dorë, mendoi se Halifeja i ka caktuar ndonjë shumë parash, siç e kishte zakon të shpërblejë miqtë e tij. Kështu, i kërkoi t’ia japë atij letrën, në këmbim të dy mijë derhemëve. Veziri e morri letrën dhe u nis me nxitim drejt organeve ekzekutive, duke shpresuar se do të marrë ndonjë shpërblim të madh. Kur organet ekzekutuese hapën letrën dhe e lexuan, zbatuan porosinë e Halifes dhe i prenë kokën vezirit të shkretë. Pas disa ditësh, duke ndjerë mungesën e vezirit të tij, Halifeja u interesua për të dhe të pranishmit i thanë se nuk e kanë parë. U interesua dhe për beduinin dhe i thanë se e kishin parë rrugëve të qytetit. Halifeja El-Mutesim e thirri menjëherë beduinin dhe e pyeti mbi atë që kishte ndodhur ditën që i kishte dorëzuar letrën. Beduini i rrëfeu gjithçka halifes. Dhe pasi El-Mutesim e kuptoi atë që kishte ndodhur, dhe tha fjalën e urtë. “Sa e drejtë është zilia! Ajo vret vetë ziliqarët.” (Gazali. Ihja Ulumid-din)
Transmeton Enes bin Malik r.a dhe thotë: Në një rast kur po rrinim me Pejgamberin a.s.I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na u drejtua duke thënë: “Tani do të vij një person(sahabe) i cili është prej banorëve të xhennetit”. Pas pak sahabiu erdhi, dhe sahabet e pyten: Cila është ajo punë që të ka ngritur në atë gradë sa që Pejgamberi a.s. tha: se ky është prej banorve të xhennetit? sahabiu tha: unë nuk gjej në zemrën time hile dhe as zili për asnjë nga myslimanët, për të mirat që Allahu xh.sh. u ka dhënë atyre”. (Ahmedi)

Ahnef ibn Kejs ka thënë: “Ziliqari nuk ka kurrë rehati në shpirtin e tij”.

Transmetohet nga Tirmidhiu dhe Ahmedi se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Është përhapur në mesin tuaj sëmundja e popujve para jush, smira dhe urrejtja të cilat janë shkatërruese të besimit të njeriut”.

Smira e çon njeriun deri në krime dhe vrasje siç na tregon Allahu xh.sh. në suren Jusuf për vëllezërit e Jusufit a.s. që donin ta vrisnin atë nga smira që kishin për të, i thonin  babait të tyre që ne e duam Jusufin, lëre me ne ta marrim të luajmë, dhe ne do ta ruajmë atë nga çdo e keqe. Por smira i shtiu që ta hidhnin Jusufin në pus edhe pse e kishin vëlla.

Ebu Daudi Transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hasedi (smira) i hanë sevapet, siç i djeg zjarri drutë”.

Ebu Derdaja ka thënë: “Sa më shumë ta kujtojë njeriu vdekjen, aq më pak do të gëzohet dhe aq më pak do të ketë zili për të tjerët”.

Transmeton Taberani se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Njerëzit do të jenë në mirësi, për sa kohë që nuk kanë smirë njëri-tjetrin”.

Në një hadith të transmetuar nga Muslimi Pejgamberi a.s.ka thënë: “ Mos kini smirë për njëri- tjetrin, mos mashtroni, mos urreni njëri- tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri- tjetrit. Jeni vëllezër.(Muslim)

www.myftiniashkoder.org

Komentet (0)add
Ju duhet te jeni te rregjistruar per te bere komente, ju lutemi rregjistrohuni.

busy