Hutbe në xhaminë e Parrucës 29.05.2009
Gjuha është një dhunti që Allahu xh.sh. ua ka falur njerëzve. Nëse ajo përdoret si duhet, e shpie njeriun në Xhenet, por nëse përdoret për të mbjellë grindje dhe intriga, sjell fatkeqësi dhe e shpie njeriun në Xhehenem.
Allahu xh.sh. në Kuran thotë:
"O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën". (Ahzab, 70).
Ebu Said el-Hudri r.a, transmeton se Pejgamberi a.s ka thënë:"Kur biri i Ademit zgjohet nga gjumi, të gjitha pjesët e trupit kërkojnë të jenë të mbrojtura nga gjuha duke i thënë asaj: "Kija friken Allahun në lidhje me ne, sepse ne jemi pjese e jotja. Nëse ti je e drejtë edhe ne jemi të drejtë dhe nëse ti je e prishur edhe ne do të prishemi". (Tirmidhi)
Çdo njeri duhet ta dijë se çdo fjalë e tij përcillet nga melekët dhe shkruhet. Allahu xh.sh. thotë:
“Për çdo fjalë që njeriu thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
Ebu Hurejra r.a. thotë: "E pyeta të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se cili është myslimani më i mirë, dhe Pejgamberi a.s. më tha: "Ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt myslimanët e tjerë!". (Buhariu, Muslim). Ky hadith tregon vlerën e frenimit të gjuhës dhe se myslimani më i mirë është ai i cili e ruan gjuhën e tij nga përgojimi, shpifjet, nënçmimi i të tjerëve apo fyerjet e ndryshme etj.
Imam Shafiu ka thënë: Kur dikush dëshiron të flas, le të mendohet mirë para se ta thotë atë që ka ndërmend. Në qoftë se ajo që dëshiron të thotë është e dobishme, le ta flasë, në qoftë se nuk është e dobishme më mirë le të heshtë.
Sufjan ibn Abdullah r.a, e ka pyetur Pejgamberin a.s: “O i Dërguar i Allahut, më trego diçka që duhet t’i përmbahem.” Pejgamberi a.s i tha: “Thuaj: Kam besuar në Allahun dhe mos u tund nga ky besim.” I thashë:
“O i Dërguar i Allahut, cila është gjëja që ia ke më shumë frikën se mund të më sjellë dëme të ndryshme ?” Pejgamberi a.s e kapi gjuhën e tij dhe tha: “Kjo.” (Tirmidhi)
Transmeton Ebu Hurejra r.a se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s duke thënë: “Me të vërtetë një rob i Allahut flet një fjalë për të cilën nuk e di nëse është e mirë apo e keqe (nuk kujdeset se ç'flet), prandaj për shkak të saj mund të futet në thellësinë e xhehenemit e cila do të jetë aq sa është distance mes lindjes dhe perëndimit.” (Buhariu, Muslim).
Abdullah ibn Mesudi r.a. ka thënë: "Nuk ka asgjë që e meriton të mbahet nën kujdes më shumë sesa gjuha".
Transmetohet nga Muslim se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Ai që beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit, o të thotë të vërtetën ose më mirë le të heshtë!".
“Heshtja është urtësi, por të paktë janë ata njerëz që e zbatojnë këtë gjë.”
Allahu na mundësoftë që t’i kemi gjuhët tona nën kontroll, gjuhë që e përkujtojnë Allahun e Lartësuar dhe nuk bëjnë gjynahe ndaj Tij!
www.myftiniashkoder.org






